BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO

BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO
Një bankë, disa kompani e personazhe fantazëm, qindra miliona euro të shkuara dëm nga taksat dhe pasuria kombëtare si edhe qindra të papunë, kjo është një histori e denjë për filma në Netflix, por që fillimisht autoritetet duhet ta zgjidhin rolin e Credins Bank në aferat që do të sjellim më poshtë. 

Ndoshta është rastësi (!), por nuk mundet të ndodhin kaq shumë rastësi në një vend të vogël si Shqipëria, ku Banka Credins nxjerr kokën sa herë ka ndonjë aferë të madhe financiare. 

Mediat kanë raportuar ditët e fundit se disa personazhe misteriozë që fundosën dikur ARMO-n janë rishfaqur në Tiranë tani si pronarë apo përfaqësues të pronarëve të rinj të kompanisë Integrated Energy që ka inceneratorin e Tiranës.

Credins Bank në vorbullën e skandaleve me inceneratorët dhe ARMO , pjesë e aferave apo kaq shumë rastësi me kosto dhjetëra miliona euro për shqiptarëve?

Bëhet fjalër për Marigona Metajn, Blerim Hoxhën dhe Jacques Jean Chevallaz, të cilët janë drejtues ose pjesë e këshillit mbikëqyrës të kompanisë Icare Energji në kryeqytetin shqiptar. Rezulton se kompania mëmë e Icare Energji, Icare Holding ka 40% të aksioneve të kompanisë holandeze Geogenix, e cila nga ana e saj ka pronësinë totale të inceneratorit të Tiranës. 

Nga ana tjetër, në media ështe raportuar se pas kompanisë holandeze qëndrojnë ish-pronarët e kompanive të inceneratorëve të Elbasanit, Tiranës dhe të Fierit pavarësisht kompanive guacka që janë krijuar.

Pikëerisht këtu shfaqet në një moment edhe Banka Credins, e cila rezulton të ketë kërkuaer sekuestrimin e inceneratorit të Elbasanit pas një kredie të pashlyer në një vlerë të përafërt 5 milionë euro.

Problemi në këtë marrëdhënie në dukje normale kredimarrës-kredidhënës është se Banka Credins e pranoi si kolateral inceneratorin e Elbasanit duke i dhënë kredi kompanisë Albtek Energy pavarësisht se në kontratën që kjo kishte me shtetin shqiptar, caktohej qartë se në fund të ndërtimit dhe operimit, inceneratori i kalonte shtetit. Është pikërisht ky operacion që duhet të hetohet për të zbuluar shkaqet e vërteta të këtij veprimi në dukje shumë të çuditshëm.

Por, ku lidhen tani gjërat?

Është pikërisht Banka Credins që ekzekutoi si kolateral rafinerinë e naftës në Ballsh pas një kredie të pashlyer 20 milionë euro ndaj saj prej ARMO-s.

BIRN raportoi disa vite më parë se Credins vijonte dhënien e kredive ndaj ARMO-s pavarësisht se ishte një kolateral i ekzekutuar. Po ashtu, e njëjta bankë ka bërë një veprim të ngjashëm edhe me inceneratorin e Elbasanit, i cili nuk ishte sekuestruar në momentin e dhënies së kredisë, por do t’i kalonte shtetit dhe nuk mund të pranohej si kolateral. 

Tani, rastësi ose jo, skema duke e njëjtë, banka e njëjtë dhe personazhet janë të njëjtë. Ata që kryen veprimet për likuidimin e rafinerisë së Ballshit, tani janë në krye të inceneratorit të Tiranës dhe banka që i financon dhe gjendet në situatë të ngashme është e njëjtë!

Credins Bank në vorbullën e skandaleve me inceneratorët dhe ARMO , pjesë e aferave apo kaq shumë rastësi me kosto dhjetëra miliona euro për shqiptarëve?

Kaq shumë rastësi brenda pak vitesh në një vend të vogël si Shqipëria? Kjo nuk është një akuzë, pasi me kapacitetet e vogla që kanë mediat nuk mund të bëjnë verifikime kaq të thelluara, por institucionet mund të rrëmojnë për të gjetur nëse ka apo jo lidhje mes kaq shumë rastësive!

Historia Credins Rafineria e Ballshit

Gjatë aktivitetit të saj ARMO kishte shkaktuar shumnë detyrime të papaguara ndaj organeve tatimore dhe doganore, si edhe të tretëve, përfshi bankat, siç ishin Raiffeisen Bank dhe Credin Bank. Në një ankand të dyshimtë sipas BIRN, rafineria e Ballashit iu dha pikërisht Bankës Credins, e cila më pas e shfrytëzoi me qëllimin për të rimarrë mbrapsht kredinë e dhënë më herët ndaj ARMO-s, e cila nuk ishte shlyer.

Pas ekzekutimit të kolateralit në nëntor 2016, Banka Credins fillimisht ia shiti rafinerinë kompanisë IRTC Sha – në pronësi të biznesmenit Besnik Sulaj. Por pasi IRTC nuk arriti të paguante kredinë me të cilën ishte financuar ky operacion, rafineria e Ballshit iu kthye sërish bankës.

Dualajme zbulon se Banka Credins përdori të njëjtën skemë në shtator të vitit 2017, duke e shitur për herë të dytë rafinerinë tek kompania Allum Enterprises për 2.8 miliardë lekë (22 milion euro).  Në shkurt 2018, kjo kompani materializoi një marrëveshje me shoqëritë Bylis dhe Tosk Energji dhe ato punuan në Ballsh deri në 17 shtator 2019.

Credins Bank skandali me inceneratorët dhe ARMO

Megjithëse puna u ndërpre, kompanitë Bylis dhe Tosk Energji e mbajtën rafinerinë deri në shkurt 2020, kohë kur u çliruan nga marrëveshja me Allum Enterprises. Ngjashëm me IRTC, edhe Allum Enterprises nuk arriti ta paguajë kredinë ndaj Bankës Credins, të cilës iu kthye përsëri aseti i kolaterizuar.

Pasi e rimori rafinerinë nga Allum Enterprises, banka ia shiti atë në fillim të vitit 2022 kompanisë “Shijaku”, për ta çmontuar dhe shitur për skrap.

Afera e inceneratorit të Tiranës

Inceneratori i Tiranës ka një zinxhir pronësie prej dy kompanish. Kompania e parë është Integrated Energy BV SPV. Kjo është kompania të cilës qeveria i ka dhënë koncesionin 35 vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Por vetë Integrated Energy zotërohet në masën 100 për qind nga një kompani e regjistruar në Hollandë, që quhet Geogenix. Zoti Abitbol rezulton se ka blerë aksione tek Geogenix dhe rrjedhimisht kjo e bën atë pronar edhe tek inceneratori i Tiranës.

Nga dokumentat e QKB struktura e pronësisë fundore është e paqartë dhe jo e plotë. Oligarkia.al publikon një dokument ekskluziv, i cili shpjegon qartë pronësinë fundore të koncesionit të inceneratorit. Sipas grafikut që mban datën 10 maj 2022, pikërisht në të njëjtën datë që raporton dhe QKB se kanë ndodhur ndryshimet, rezulton se kompania Integrated Energy zotërohet nga 3 pronarë. Alberto Presezzi zotëron 40 për qind të kuotave, Max Abitbol po 40 për qind dhe Giuseppe Ciaffaglione 19.9 për qind. Ky i fundit është ish administratori i kompanisë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.

Fijet pas pronarit të ri

Max Abitbol rezulton të ketë blerë 40 për qind të aksioneve të Geogenix në Hollandë përmes një kompanie të quajtur Icare Holding SA. E regjistruar në kantonin e Vaudit në Zvicër, Icare Holding SA është një kompani e themeluar në vitin 2011, që më parë ka mbajtur emrin JMG Investments SA. Në vitin 2018, JMG është përthithur nga Icare Holding, që në atë kohë rezultonte me asete totale rreth 600 mijë euro.

Gjashtë muaj më parë, Icare Holding ka hapur një filial të sajin në Shqipëri me emrin Icare Energji. Sipas dokumentave, administratore e kompanisë rezulton Marigona Metaj, ndërsa anëtarët e këshillit mbikqyrës janë Max Abitbol, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz. Këta janë emra të njohur në Shqipëri.

Blerim Hoxha ka qenë administratori i Tosk Energji nga viti 2016 deri në prill të vitit të kaluar. Tosk Energji është kompania që i dha goditjen përfundimtare ARMO-së, e cila më pas u çmontua për skrap. E prezantuar si kompania që do të shpëtonte rafinerinë nga borxhet dhe do të rigjallëronte prodhimin, Tosk i rëndoi edhe më shumë borxhet e ARMO-s dhe la mbrapa qindra punonjës të papaguar më muaj të tërë, rroga të cilat më vonë i pagoi qeveria nga taksat e qytetarëve. Sot Tosk Energji është nën sekuestro nga administrata tatimore për shkak të detyrimeve të papaguara në shtet.

Marigona Metaj dhe Joel Jacques Jean Chevallaz po ashtu kanë qenë pjesë e Tosk Energji. E para si përfaqësuese e autorizuar e kompanisë, ndërsa Chevallaz anëtar i Këshillit Mbikqyrës për periudhën 2016-2018. Lidhja tjetër është Christophe Dabord, i cili tani rezulton si përfaqësues ligjor i kompanisë Icare Holding SA në Zvicër. Zoti Dabord është ish administratori i ARMO-s, gjatë kohës që Uzina shfrytëzohej nga Tosk dhe Byllis Energji.

Biznes guackash 

Por fija e fundit drejt ARMO-s është adresa e kompanisë. Icare Energji e themeluar në Shqipëri, rezulton se ka adresë në qendrën e biznesit Aba Business Center, kati i 7-të. Në fakt, kjo adresë që kompania deklaron në ekstraktin e QKB është gabim, qëllimisht ose jo, kjo ka pak rëndësi.

Në katin e 7-të të qëndrës ABA i ka zyrat një tjetër kompani. Adresa e vërtetë e Icare deri pak kohë më parë ka qenë kati i 8-të i ABA Business Center, në të njëjtën zyrë me kompaninë Ballkan Energji, që ka për pronar Skënder Sulaj dhe administrator biznesmenin Besnik Sulaj, i akuzuar nga opozita si njeri i afërt i kryeministrit Edi Rama.

Me pak fjalë, fijet e pronarëve të rinj të inceneratorit shtrihen në 500 metër përgjatë Bulevardit të Tiranës, nga Aba Center që ata deklarojnë si adresë zyre deri tek një kazino afër qendrës së Tiranës. Ne mes të kësaj vije lineare gjendet godina e Kryeministrisë. Për opozitën, inceneratori i Tiranës është biznes qeveritar. Dhe me shumë gjasa aksionet e tij fundore nuk gjenden as në Amsterdam dhe as në Gjenevë, por mbahen të mbyllura në ndonjë kasafortë në Tiranë.

Afera e inceneratorit të Elbasanit

Bankat janë duke ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke bllokuar llogaritë bankare të inceneratorëve Fier dhe Elbasan.

Pronarëve të inceneratorëve nuk u kanë mjaftuar 60 milion euro që buxheti i shtetit ka paguar për dy impianitet e Fierit dhe Elbasanit, por duke përdorur kontratat koncesionare kanë arritur të marrin miliona euro kredi në banka. Llogaritë e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit janë bllokuar nga banka Credins në janar të këtij viti. Fieri për shkak të një overdrafti, ndërsa kontrata e Elbasanit është lënë peng për një kredi me vlerë 4.7 milion USD. Sot administratorët e përkohshëm nuk mund të përdorin asnjë qindrakë për mirëmbatjen e objekteve dhe remonteve duke rrezikuar degradimin e veprave.

Dokumentat e siguruar nga Kronos zbulojnë se Banka Credins ka dhënë një kredi me vlerë 4.7 milion USD për kompaninë Integrated Technology Services disa muaj përpara se inceneratorët të sekuestroheshin nga SPAK. Kredia është lëshuar më 30 prill 2021 për llogari të kompanisë ITS në pronësi të Klodian Zotos, por peng është lënë kontrata koncesionare që shteti kishte lidhur për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit me firmën “Albtek Energy”.

Edhe pse kontrata koncesionare nuk e lejon vënien kolateral për marrjen e kredive që nuk kanë qëllim ndërtimin e inceneratorit, Klodian Zoto, e le peng në bankë. Kompania “ITS” u sekuestrua bashkë me inceneratorin e Fierit më 28 mars të vitit 2022 për llogari të hetimeve të nisura nga SPAK, duke ngrirë në këtë mënyrë dhe pagesën e kësteve të kredisë. Banka Credins dërgon disa shkresa në Agjencinë e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara ku kërkon shlyerjen e kësteve të kredisë.

Ligji për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pronave nuk njeh pagesën e detyrimeve bankare në kohën që objekti është e bllokuar për llogari të një procesi penal.

“Ligji për adminsitrimin e pronave të sekuestruara nuk përfshin pagesën e detyrimeve bankare që kanë lindur para se vepra të sekuestrohej” thotë administratori shtetëror për inceneratorin e Fierit, Farudin Arapi.

Banka Credins në dhjetor të vitit të shkuar i drejtohet zyrës përmbarimore “Bailiff Officers” për të nisur procedurat e nxjerrjes së titullit ekzekutiv deri në shlyerjen e plotë të shumës 4.7 milion USD. Më 23 janar të këtij viti, përmbaruesi Alsid Kamberi kërkon ngrirjen për llogari të Credins Bank të llogarive bankare dhe pronave të kompanisë Albtek Energy. Albtek rezulton pronare e inceneratorit e Elbasanit, pasi sekuestrimi nga SPAK u bë disa ditë përpara se vepra të transferohej te bashkia Elbasan. Kërkesa e bankës kundërshtohet nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara. “Kredia është dhënë për një kohë më të gjatë se kontrata e koncesionit, 8 vjet, ndërsa objekti do të transferohej pas disa muajsh te bashkia e Elbasanit” thotë Farudin Arapi.

“Këto para janë marrë për rryshfete, korrupsion, për kompanitë e Mirel Mërtirit në Maltë, në Bullgari, për biznese të tjera që lidhen edhe me Zimbabven edhe me dosjen e ilacceve në Zimbabve.” Thotë ekonomisjta Brisida Shehaj.

Por ndryshe nga ajo që konstaton Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara, banka sqaron se kompania ka dorëzuar dokumentate se nuk ka qënë nën hetim, apo e dënuar nga Gjykata në momentin e marrjes së kredisë. 

“Banka nuk ka patur dijeni dhe as nuk ka patur mundësi të merrte dijeni për hetimet e filluara. Në dosje janë depozituar shkresat përkatese nga Prokuroria, Gjykata, dhe Përmbarimi, se shoqëria ITS deri në momentin e aplikimit për kredi nuk ka patur çështje penale apo në ekzekutim/përmbarim.” thotë në një përgjigje për Kronos Banka Credins.

Administratori shtetëror i inceneratorit i kërkon Gjykatës të shfuqizojë urdhrin e Përmbaruesit, duke i kujtuar se ky vendim do të krijojë dëme të riparueshme në mjedis që prekin një komunitet të madh banorësh si në qarkun e Fierit dhe në atë të Elbasanit.

“Nëse llogaritë dhe asetet e shoqërisë paditëse do të bllokoheshin, do të shkaktohet një dëm i rëndë dhe i pariparueshëm sepse implikohen interesa të një komuniteti të madh dhe do të ndikonte drejtpërdrejtë në dështimin e kontratës koncesionare.”thuhet në kërkesën drejtuar gjyaktës nga Agjencia e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Nëse Administratori shtetëror mbështetet në nenin 297 të Kodit të Procedurës Civile, ku ndalohen veprimet përmbarimore në momentin që çështja është nën hetim, banka mbështetet në një tjetër nen të Kodit të Procedurës Civile. 

“Pasi Banka Credins ka konstatuar vonesat në pagesat e detyrimeve nga ana e debitorit, i është drejtuar gjykatës kompetente me kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Gjykata ka vlerësuar të drejtë kërkesën dhe ka lëshuar urdhrin për ekzekutim. Më pas, Banka me një kërkesë për vënien në ekzekutim, sipas nenit 515 të Kodit të Procedurës Civile ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës së ekzekutimit të titullit ekzekutiv.” shprehet Banka Credins.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se skema e përdorur nuk bie vetëm mbi bankën, por rrezikon që në të ardhmen kredinë ta paguajnë bashkitë me paratë e qytetarëve.

“Pas 6 vitesh, pas 26 milion euro investim, pas një kosto shumë të madhe në buxhetin e shtetit, Elbasani ndodhet në të njëjtën situatë para se të niste koncesioni dhe tashmë kredia rrezikon të paguhet nga bashkia, ose objekti t’i kalojë bankës.” thotë ajo.

Nëse Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të vendosë konfiskimin e veprave, atëherë objektet e inceneratorëve do të kalojnë në pronësi të shtetit dhe jo të bankës.

“Ligji e thotë qartë, nëse objekti konfiskohet, nuk shkon për bankën por i takon shtetit” thotë Farudin Arapi.

Pasuritë e marra nga drejtësia për llogari të shtetit kanë shkaktuar probleme të rënda në sektorin bankar dhe kanë rritur ndjeshëm kreditë e këqija në sistem.

Prej disa muajsh, Shoqata e Bankave po kërkon ndryshimin e ligjit për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurive, kërkesë që është pranuar nga qeveria. Institucionet janë duke punuar mbi amendimet e ligjit të cilat synojnë të njohin në një masë të caktuar edhe pagesën e kësteve të kredisë gjatë periudhës që pasuritë janë në sekuestrim apo kur konfiskohen.

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka marrë një inciativë në Kuvend për të ndaluar financimin e projekteve koncesionare ose në partneritet publik-privat me kredi, ndërsa si për këto kontrata si për pranimin e kompanive në tendera publikë, sipërmarrësit do të detyrohet të kenë të paktën gjysmën e vlerës së financimit.

“Kam marrë një iniciativë ligjore që të vendosim kufizime që në rastet e koncesioneve apo PPP-ve kompania duhet të ketë 50% të vkerës së investimit, njësoj edhe në fushën e tenderave publikë, që të mos rrezikohet zbatimi i kontratës apo të përsëriten raste të tilla.” thotë ajo.

Nisma është në fazën e diskutimeve në Kuvendin e Shqipërisë dhe që të miratohet i nevojtet patjetër konsensusi i mazhorancës. /Dualajme

BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO
BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO
BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO
BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO
BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO
BANKA / Credins Bank mes vorbullës së skandaleve me inceneratoret dhe ARMO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *