“Lëvizin natën në fshatra”/ Gjiknuri: Kush janë kriminelët që Luçiano Boçi i strehon në makinën e tij 

Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Elbasanit, Damian Gjiknuri ka reaguar pas kallëzimit që kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka bërë në prokurori ndaj zyrtarëve të PS ku i akuzon për blerje votash.

Sipas Gjiknurit, sot Boçi pranoi publikisht kapitullimin dhe se kallëzimin e bëri për të ndërtuar alibinë e humbjes. Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri iu bën thirrje shtabeve zgjedhore të PS dhe trupës zgjedhore, anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV të mos intimidohen dhe të respektojnë ligjin në çdo hap.

Më tej, deputeti socialist shton se Luçiano Boçi duhet “të japë llogari para organeve të drejtësisë përse strehon në makinën e tij persona me precedent penal ndërkombëtar në trafikun e drogës si shtetasi I.SH. apo personazh tjetër i botës së krimit si shtetasi M.D. me të cilët lëviz kryesisht natën nëpër lagje e fshatra të Bashkisë së Elbasanit”.

Postimi i plotë:

Me dëshpërimin e një njeriu që teksa ka kaluar gjithë fushatën duke gënjyer, e ndjen humbjen ti rrotullohet rreth kokës e ti turbullojë shikimin, Lul Boçi i Ilir Metës dhe Sali Berishës ka pranuar sot publikisht kapitullimin teksa për të ndërtuar alibinë e humbjes firmos “pa doganë” gjoja kallëzime ndaj funksionarëve të Partisë Socialiste në Elbasan.

Mos harroni! Është i njëjti që gjatë gjithë fushatës vetdeklarohej fitues! Është i njëjti që gjatë gjithë fushatës nuk ngriti asnjë pretendim për cënim të procesit! Sapo e nuhati humbjen e pashmangshme nga e cila e ndajnë vetëm 3 ditë kapet si i mbyturi në fijen e barit!

I bëj thirrje të gjithë shtabeve zgjedhore të Partisë Socialiste dhe trupës zgjedhore, anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV të mos intimidohen, të mos bien pre e provokimeve dhe të respektojnë ligjin në çdo hap, duke garantuar zhvillimin e një procesi të qetë e në përputhje me standardet ndërkombëtare. Një proces të denjë për qytetarinë që Elbasani e meriton, larg konflikteve shterpe dhe tensioneve artificiale që i kanë vënë fatkeqësisht damkën qytetit nga ata që refuzojnë të pranojnë rezultatin.

Gjithashtu, përpara se sa të kthejë poezitë e tij në tekste kallëzimesh, kandidati Lul Boçi duhet të japë llogari para organeve të drejtësisë përse strehon në makinën e tij persona me precedent penal ndërkombëtar në trafikun e drogës si shtetasi I.SH. apo personazh tjetër i botës së krimit si shtetasi M.D. me të cilët lëviz kryesisht natën nëpër lagje e fshatra të Bashkisë së Elbasanit! Ndaj këtyre të fundit, organet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë duhet të bëjnë menjëherë punën e tyre!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *