Babëzi ndaj të sëmurëve me kancer! Si Caji Vital ndryshoi emrin dhe tani mashtrojne LIVE hallexhinjtë
Çajrat çudiberës, për të cilët shitësit thonë se shërojnë gjithçka janë kthyer në një problem të madh në Shqipëri.
Këto kompani kanë pas vetes buxhete të mëdha marketingu duke pushtuar studiot televizive me reklamat e tyre, ndërkohë që shfrytëzojnë padijen e audiencës si edhe mungesën e kontrollit të autoriteteve.
Gazeta Jonë ka denoncuar deri më tani një sërë abuzimesh të tilla, por sëfundmi po përballemi me një situatë të pazakontë edhe nga një tjetër kompani që duket se është shumë e dyshimtë me sjelljen e saj në treg.
Bëhet fjalë për Çajin Vital, i cili në fakt është një emër i ndryshuar i Lëngut Vital. Nuk ka ndryshuar asgjë në këtë produkt siç duket edhe nga ajo që prezantohet nëpër studio dhe reklama, përveç emrit.
Po pse e kanë ndryshuar emrin e këtij produkti?
Çfarë fshihet pas këtij ndryshimi dhe pse befas kompania këto muaj ka nisur një fushatë marketingu nëpër media për t’i mbushur mendjen shqiptarëve se ky çaj bën, ndërkohë që më parë premtonin se i njëjti lëng shëronte edhe kancerin!
Ky është një krim që kërkon që institucionet të merren me të.
Në investigimin e bërë nga Gazeta Jonë rezultojnë disa fakte të rënda në lidhje e produktin në fjalë.
Përgjatë viteve 2021 deri në nëntor 2022 mjeku stomatolog (!) që marketon këtë produkt ka dalë në emisione shëndeti duke promuar produktin Lëngu Vital si çudibërës në një mori sëmundjesh duke u shprehur edhe se shëron kancerin.
Në nëntor të vitit 2022 emisioni “Piranjat” bën një publikim në lidhje me Lëngun Vital duke nxjerrë në pah abuzimet në lidhje em mënyrën se si u shitet shqiptarëve produkti në fjalë.
Gazetarët shkuan te dyqani në Vorë për të investiguar rastin.
“Ndikon në tkurrjen e masës. Duhet ta bësh tre muaj. Kemi pasur raste qe lëngu ka ndikuar. Shumica janë me raste malinj. Po ka pasur raste që ka zhdukur tumorin, është regjistruar”, tha stomatologu, teksa u pyet nga gazetarja.
Pas kësaj gazetarët denoncuan menjëherë rastin në Autoritetin Kombëtar të Ushqimeve.
AKU konstatoi se mjeku vepronte në shkelje me ligjin, për pasojë iu vendosën masa administrative dhe gjobë.
“Subjekti kishte një lëng të cilin ai e emërtonte Vital, nuk kishte një etiketë të aprovuar nga AKU. U konstatua sasia prej 167 litra. Ai u gjobit, produkti u bllokua. Objekti kishte 233 kg mjaltë pa faturë. Janë marrë masa administrative dhe gjobë”, është shprehur përfaqësuesi i AKU.
Çfarë po ndodh tani?
Fill pas këtij emisioni Gazeta Jonë konstaton se kompania që shet këtë produkt gjoja çudibërës ia ka ndryshuar emrin nga “Lëngu Vital”, i cili u denoncua nga emisioni “Piranjat” duke u delegjitimuar në “Çaji Vital”.
Duket se përmbajtja është e njëjtë, ka ndryshuar vetëm emri nga “Lëngu Vital” dhe “Çaji Vital” për efekte të thjeshta marketingu. Edhe ambalazhimi i produktit është i njëjtë, madje edhe inxhinieri i moshuar që del në ekran është i njëjtë. Njëhërë del si shpikës i formulës së “Lëngut Vital” dhe tani del si shpikës i formulës së “Çajit Vital” (shiko fotot).
Shtator 2022. Nazif Saraci prezantohet ne emisionin “Rudina” ne TV Klan si personi qe ka shpikur formulen e “Lengut Vital”. (Ndiqni EMISIONIN)
Gazeta Jonë zbulon se gjatë periudhës nëntor 2022-janar 2023 është ndryshuar edhe emri në faqet e rrjeteve sociale nga “Lëngu Vital” në “Çaji Vital” dhe marketingu është bërë pikërisht me këtë emër.
Prill 2021. Nazif Saraci del me stomatologun në emisionin “Ftese ne 5” në Top Channel dhe prezantohet si shpikës i formulës së “Lengut Vital”. (Shiko EMISIONIN)
Gazeta Jonë kontaktoi kompaninë mbi çështjet e dyshimta që lidhen me emrin e saj dhe me ndryshimin e emrit nga Lëngu Vital në Çaji Vital si edhe është regjistruar në institucinet shqiptare.
Në një përgjigje për Redaksinë Investigative të Gazeta Jonë, administratori Hajredin Loka shprehet: Emrin e produktit nga “Lengu Kurativ Vital“ ne “Caj i Perzier Vital“ eshte ndryshuar me rekomandim te AKU Tirane.Te gjitha produktet qe ne kemi jane te miratuara nga autoriteti kombetar i ushqimit Tirane,secili me etiketen e notifikuar nga i njejti institucion.
Kompania pretendon se i kanë bërë edhe analizat e produkteve të tyre të ISUV, megjithatë duhet theksuar se pas verifikimeve Gazeta Jonë konstatoi se analizat e produkteve tregojnë vetëm përmbajtjen e tyre dhe jo efektet në trupin e pacientëve ashtu siç pretendojnë pronarët e kompanisë kur dalin nëpër studio.
Kompania në fjalë nuk ka asnjë certifikatë nga një institucion shqiptar që të vërtetojë për shembull se konsumi i Lëngut Vital apo Cajit Vital si duan ta quajnë tani, ndikon për shembull në “tkurrjen e tumoreve” siç pretendohet në mënyrë abusive.
Deri në marrjen e një certifikate të tillë, jemi në një terren spekulativ deri dhe mashtrues.
Mars 2023, sërish Nazif Saraci dhe stomatologu Halil Hafuzi në emisionin “Diagnoze” ne TV Klan, kësaj radhe duke prezantuar jo më “Lengun Vital”, por ‘Cajin Vital”. (Shiko EMISIONIN)
Pse nuk ndërhyjnë autoritetet?
“Çaji Vital” apo “Lëngu Vital”, si të duan ta quajnë ata që e shesin, nuk është i vetmi rast i dyshimte. Gazeta Jonë ka kontaktuar edhe me kompani të tjera fantazëm që i shesin shqiptarëve “saponin për djathtë” duke abuzuar me shëndetin e tyre dhe duke bërë premtime të frikshme siç janë shërimi i kancerit, i problemeve të mëdha më stomakun apo çdo organ tjetër, mjafton që të zhvasin paratë.
Gazeta Jonë do të vijojë ndjekjen e rastit në fjalë si edhe të rasteve të tjera të ngjashme në ditët në vijim.
Mirëpresim çdo denoncim nga qytetarët në lidhje me rastet kur janë ndjerë të mashtruar me ushqimet, barnat dhe produkte të ngjashme! /DuaLajme
.
.