Prokuroria e Elbasanit ka depozituar në Gjykatë kërkesën për caktim mase sigurie “arrest në burg” për katër të miturit e arrestuar për ngjarjen në Gramsh, ku humbi jetën një 15-vjeçar.
Akuza që rëndon ndaj tyre është “vrasje në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”. Pak ditë më parë u vra me thikë në ambientet pranë shkollës së tij, 15-vjeçari Fatjon Bici.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy doreza përforcuese grushti, një thikë metalike, ndërsa në tehun e saj janë evidentuar njolla të kuqerremta, në ngjyrë si të gjakut.
Kjo thikë është hedhur në këtë vend nga autorët e dyshuar, në momentin që këta persona po ndiqeshin nga policia. 15-vjeçari humbi tragjikisht jetën pas një sherri me disa adoleshentë të tjerë. Ai u godit me thikë dhe humbi jetën në spital, ndërsa i plagosur mbeti edhe një 15-vjeçar.
Policia arrestoi 4 adoleshentë të moshës 14 deri në 16 vjeç, të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i morën jetën të riut.