Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë vit në Shqipëri ka mbizotëruar ardhja individuale e turistëve, të cilët kanë buxhete më të lira dhe priren drejt një shërbimi ‘low-cost’.
Kështu deklaron për Besnik Vathi, Kreu i Shoqatës së Tur-operatorëve i cili thotë se kjo ka ardhur si rrjedhojë e ndryshimit të hartës të nacionaliteteve të turistëve që po kalojnë pushimet në vendin tonë.
Përpos polakëve, që tipikisht vijnë të organizuar në Shqipëri, me kontrata paraprake dhe udhëtime me charter, Vathi vëren se grupet e tjera mbizotëruese nga Italia apo Amerika Latine po vijnë në mënyrë individuale. Kjo edhe për shkak të shtimit të linjave direkte të fluturimit me këto shtete.
Një ndër faktorët që sipas tur-operatorëve ka ndikuar gjithashtu në organizimet individuale është edhe promocioni i Shqipërisë në mediat e huaja si një vend me çmime të lira dhe ekonomike përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga akomodimi tek ushqimi.
Por kjo sipas Rrahman Kasës, kreut të Unionit Turistik ka patur njëfarë efekti negativ, duke u kthyer në boomerang pasi pritshmëritë e tyre të larta kanë dështuar.
“Në përgjithësi një pjesë e madhe e këtyre turistëve kanë ardhur me këtë qëllim. Më pas janë ballafaquar me çmimet si në vendet e tyre, kanë ngelur të zhgënjyer dhe kanë thënë se Shqipëria nuk qenka dhe aq e lirë.
Reklama që ju bë Shqipërisë se është një vend i lirë, është e gabuar. Nëse i referohen marketit për të blerë gjëra të lira kjo është tjetër histori” deklaroi Kasa.
Ndonëse vitin e shkuar ishin turistët nga Europa Lindore dhe Lindja e Mesme ato që mbajtën peshën kryesore dhe “shpëtuan” turizmin, këtë vit prurjet më të mëdha sipas tur-operatorëve janë nga Europa Perëndimore dhe Amerika Latine.
Nga çekët dhe turistët nga Lindja e Mesme që deri vjet mbizotëronin krahasuar me nacionalitetet e tjera, këtë sezon ata po vënë re një lloj tjetër klientele. Prurjet më të mëdha janë nga Italia, Polonia, Spanja, Amerika Latine dhe Gjermania.
Megjithatë, në krye si ngahera renditen gjithnjë pushuesit nga Kosova, në fakt të njëjtën gjë rrëfejnë edhe raportimet e fundit të INSTAT.
Për herë të parë që kur raportohen të dhënat, shtetasit italianë renditen të dytët për nga hyrjet në vend, me 9% të totalit, pas atyre të Kosovës. Më parë shtetasit italianë janë renditur dhe pas Maqedonisë, Malit të Zi e Greqisë.
Deri në muajin qershor shifrat tregojnë se në Shqipëri kanë hyrë 310 mijë vizitorë nga shteti fqinj, pas italianëve renditen turistët nga Polonia.
Deri në gjysmën e parë të vitit Shqipëria është vizituar nga 59 mijë vizitorë apo 73 për qind më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të shkuar.
Spanjollët,të cilët vitin e shkuar sipas INSTAT u katërfishuan , këtë vit janë gjithashtu në kuota më të larta. Njëjtë, edhe turistët nga Amerika Latine.
“Shtimi i dy linjave të reja direkte fluturimi me Spanjën, përkatësisht nga Madridi dhe Barcelona gati 5 herë në ditë, ka rritur ndjeshëm prurjet e turistëve spanjollë në Shqipëri.
Janë kompanitë spanjolle dhe portugeze të cilat meqë këto dy vitet e fundit filluan turizmin me Shqipërinë, me numra të lartë pushuesish që zgjodhën vendin tonë, janë edhe organizatorë të grupeve të Amerikës Latine.
Pikërisht këta tur-operatorë me anë të ofertave dhe paketave të ndryshme grumbullojnë klientë dhe i organizojnë në grupe me autobusë drejt Shqipërisë. Mund të themi se që pas hapjes së tregut me Spanjën, ka pasur prurje dhe zgjerim të numrit të turistëve nga Amerika Latine”, thotë Vathi.
Operatorët turistikë janë në një mendje për turistët italianë.
Ata thonë që është e ditur botërisht tashmë që italianët duan të shpenzojnë më pak dhe nuk lënë kurrë bakshishe.
Sipas tyre, shifrat e larta të tyre në Shqipëri këtë vit shpjegohen me faktin që çmimet brenda Italisë janë rritur ndjeshëm dhe kanë dëgjuar se mund të bësh pushime ekonomike në Shqipëri.
Në një artikull, Financial Times theksonte se ndërsa turistët e huaj vazhdojnë të dynden në Itali – me ardhje ndërkombëtare prej 43 për qind në katër muajt e parë, udhëtimet e brendshme ranë 20-30 për qind në krahasim me vitin e kaluar në rajone të caktuara.
Vasil Bedinaj, Kreu i tur-operatorëve të Jugut thotë se këtë vit në Shqipëri ka ndodhur një situatë e kundërt nga vitet e shkuara.
Ai shpjegon se kësaj here pronotimet më të hershme janë bërë për hotelet në jug të vendit.
“Ndryshe nga çdo vit tjetër ku pronotimet përgjithësisht bëhen sipas modelit poshtë-lart, pra nga akomodimet më të lira te ato më të shtrenjta, kësaj here ka ndodhur e kundërta. Pasi u rezervuan të gjitha dhomat e shtrenjta në Booking, ata kaluan tek më të lirat.
Zviceranët dhe latinët duken një treg premtues të cilët edhe shpenzojnë më shumë”, thotë ai ndërsa shton se ato gjithashtu preferojnë më shumë ushqimin jashtë se sa të gatuajnë
Ndërsa polakët dhe gjermanët sipas tij, shpenzojnë më shumë për alkool, kryesisht birra, nëpër bar-e të ndryshme.
Shqipëria tjetër, ajo e aventurës, po merr gjithashtu shumë vëmendje.
Ndryshe nga tregu rus apo ukrainas që duan turizmin blu, grupi i turistëve nga Amerika Latine dhe Italia parapëlqejnë më shumë turizmin e aventurës por dhe atë historik-kulturor.
Në këtë mendje janë thuajse të gjithë udhërrëfyesit turistikë të cilët pohojnë se ka një interes në rritje për ta parë Shqipërinë në “360 gradë”.
Megjithatë, kureshtja e tyre nuk po ecën paralel me kërkesën për të patur pranë vetes një guidë.
Thuajse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk po ndiejnë nevojën për t’u udhëhequr nga një person i certifikuar, kjo kryesisht për shkak të informacionit që sigurojnë nga interneti apo orientimit nga librat specifikë për turizmin.
Sipas guidave kjo është një tendencë e pritshme porse me kalimin e kohës destinacionet bëhen më të konsoliduara dhe mund të gjesh më shumë të dhëna për ta.
Lidhur me kostot e rrezikut me të cilët mund të shoqërohet ky trend, ata deklarojnë se Shqipëria nuk është një vend ku të gjithë rrezikojnë.
“Rreziku nuk varet nga destinacioni por nga turisti. Turistët që kryesisht rrezikojnë janë turistë outdoor të cilët janë mësuar me turizmin e aventurës, edhe sikur të ishin në mes të një shkretëtire sërish do rrezikonin. Shqiptarët kanë një tendencë për të rrezikuar më pak”, thotë më tej Vathi.
Ai deklaron se turistët më “të urtë” që nuk rrezikojnë shumë janë përgjithësisht nga Europa Lindore dhe Perëndimore.
Këtë e konfirmojnë edhe raportimet e INSTAT. Sipas të dhënave, numri i vizitorëve jo-rezident që janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë, me 2.5 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar./Gazeta Si