Sipas vendimit të KKT më datë 2 korrik 2024, kompania Top Seven me pronare “në letra” Erinda Lutaj do të ngrejë kullën 35 kate në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë, por a fshihet diçka pas kësaj leje?
Pastrimi i parave të drogës në ndërtim është kthyer në një realitet shqetësues në vend.
Në raportin vjetor të vitit 2023, publikuar disa javë më parë, SPAK ka konstatuar sofistikimin e metodave të pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit, krysisht të trafikut të drogës.
SPAK thekson se forma më masive është investimi në pasuri të paluajtshme me para të dyshuara nga aktiviteti kriminal, kryesisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare, si në Vlorë, Durrës dhe Lezhë.
Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën, gjatë këtij viti, ka miratuar ndërtimin e dhjetëra kullave në Tiranë dhe hoteleve në bregdet nga kompani, të cilat nuk kanë burime financiare për të realizuar investimin, ku në disa raste vlera shkon nga dhjetëra milionë euro deri në 200 milionë euro.
Një pjesë janë kompani fantazmë, pa kapital dhe pa aktivitet që kanë marrë leje nga KKT-ja për ndërtim kullash me vlerë investimi dhjetëra milionë euro.
Kompanitë mashtrojnë me dokumentet e burimit të financimit, duke paraqitur disa kontrata për kredi fiktive me banka të nivelit të dytë ose edhe kontrata kredie reale, por që vlera e kredisë nuk mbulon as 10 % të investimit.
Mjafton një hetim i thjeshtë nga SPAK dhe BKH, bazuar në informacione të hapura, konfidenciale dhe të agjencive partnere të zbatimit të ligjit, për të konstatuar pastrimin e parave me kulla në Tiranë dhe ndërtime në bregdet.
Në mbledhjen e fundit të KKT, përpos të tjerave, Edi Rama ka firmosur lejen për ndërtimin e një kulle 35 kate në Tiranë nga kompania Top Seven Construction shpk.
Kompania Top Seven Construction, me objekt investime në fushën e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit, është themeluar në qershor të vitit 2023, me kapital 1 milionë lekë.
Kompania është në pronësi të agjencisë së udhëtimeve dhe shitjes së makinave Top Seven, themeluar në vitin 2017, me kapital 100 mijë lekë. Administrator i Top Seven është shtetasi Orgest Birçaj.
“Pronar perfitues i subjektit Top Seven Construction eshte: Erinda Lutaj, shtetase shqiptare, lindur me 1989, pronare përfituese per 100 % te kapitalit, pasi zotëron 100% te kapitalit te shoqërisë Top Seven, e cila eshte shoqëri meme per Top Seven Construction me 100% te kuotave te shoqërisë.. Data e percaktimit si pronar perfitues eshte 14.06.2023”, shkruhet në QKB për kompaninë Top Seven Construction që është pikërisht kompania mëmë Top Seven shpk. Pra, Birçaj kontrollon të dyja kompanitë, atë mëmë dhe kompaninë që ka marrë leje për kullë.
Ndërkohë, pronare në letra e kompanisë Top Seven shpk, kompania mëmë e Top Seven Construction që do të ndërtojë kullën 35 kate në Tiranë, është Erinda Lutaj.
Historiku i kompanisë, kapitali i saj si edhe aktiviteti sugjerojnë se diçka nuk shkon, por kjo duhet verifikuar nga institucionet përgjegjëse pasi mediat mund të parashtrojnë çështje dhe shtrojnë vetëm pyetje. Kaq sa i takon mediave.
Ndërkohë, SPAK dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare kanë nxjerrë më herët fakte përmes hetimeve për cështje të tjera se personazhe të krimit kanë përdorur emra të pastër në dukje për të pastruar paratë përmes ndërtimeve në Tiranë.
Rrjedhimisht, SPAK dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare duhet të verifikojnë nëse dhe ky është apo jo një rast i ngjashëm dhe nëse lidhen fijet në linjën Spanjë-Vlorë—Dubai apo jo. Nëse jo, i është berë një shërbim interesit publik duke konfirmuar që paratë e investuara në kullat e Tiranës janë të pastra. /dualajme