Dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania “Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global. Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontenjerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.
Të dhënat nga dosja hetimore tregojnë që marrësi i këtyre ngarkesave është kompania GS Minerals D.o.o e regjistruar në Rijeka të Kroacisë, gjithashtu në pronësinë e familjes Sokolaj. Kurum ka instaluar prej vitit 2010 një sistem filtrash për kapjen e mbetjeve të hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut në ish-Kombinatin Metalurgjik.
Sipas deklaratave të vetmonitorimit mjedisor të kompanisë, ajo prodhon sërish mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut në vit.
Mbetjet nga filtrat e pastrimit të gazrave nga “Kurum”, klasifikohen si mbetje substancash të rrezikshme. Sasia totale e këtyre mbetjeve të prodhuara për më shumë se një dekadë nga Kurum dhe destinacioni i tyre mbetet i panjohur, por vetëm për një periudhë 3-mujore, kompania raportonte se kishte akumuluar 2500 ton pluhura, të cilat deklarohen ndryshe edhe si oksid zinku.
Një pjesë e këtyre mbetje riciklohen prej vitit 2022 nga një kompani tjetër shqiptaro-kineze me qendër në kombinatin Metalurgjik në Bradashesh. Një agjent detar në portin e Durrësit, i cili kishte dijeni mbi eksportet e mineraleve, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se mbetje të zinkut të dala nga kompania “Kurum” ishin eksportuar për riciklim drejt Turqisë në periudhën para pandemisë së Covid 19.
Agjenti gjithashtu shpjegoi se eksporti i lëndëve të rrezikshme kërkon kushte të veçanta dhe ka kosto të larta, duke i shtyrë kompanitë ta deklarojnë mallin si material jo të rrezikshëm.
Jim Puckett i BAN ndau edhe disa foto ku shihen kontenjerët e kompanisë MSC – e cila ka bërë transportin e kontenjerëve të dyshuar nga Durrësi në Trieste, port ku janë ngarkuar në anijet e linës Maersk.