Si po zhvaten dhe mashtrohen moshat e treta me suplementet ushqimore, rasti OBEN, Caji Vital (apo lengu ? ) .
Suplementet ushqimore janë duke bërë kërdinë në Shqipëri duke u shitur asnjë kriter ndaj moshave të ndryshme, ndërkohë që më të rrezikuarat për t’u mashtruar apo të dëmtojnë shëndetin janë moshat mbi 50 vjeç, të cilët kanë më shumë nevojë për të tejkaluar siklete të ndryshme të trupit.
Duke përfituar nga dhimbja e tyre kompani fantazmë, pa asnjë adresë, NIPT apo vend fizik, reklamojnë nëpër televizione apo në rrjetet sociale duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi për produktet skarco që shesin.
Gazeta Jonë ka denoncuar deri më tani të gjitha produktet e konsideruara si supmlemente ushqimore të cilat shiten dhe marketohen si “ilaçe” nën hundën e autoriteteve shtetërore.
Ne do të vijojmë denoncimin pavarësisht nëse abuzuesit fshihen pas markës Çaji Vital (apo Lëngu Vital?!); OBEN; Helix apo çdo individ tjetër që prodhon bodrumeve dhe i marketon nëpër televizione me buxhete të frikshme marketingu.
Gazeta Jonë mirëpret çdolloj denoncimi nga lexuesit për produkte të tilla, ndërsa ftojmë qytetarët që t’u drejtohen mjekëve për të gjetur zgjidhje të problemeve të tyre shëndetësore dhe jo te xhambazët që qëllim të vetëm kanë fitimin dhe të përfitojnë nga dhimbja e tyre.
Me këtë rast sjellim në vëmendje shkrimin e intelektualit Fatmir Gjoni mbi kompaninë OBEN dhe format e dyshimta me të cilat ajo operon në treg.
Nga Fatmir Gjoni
Qëllova që po lexoj librin “Empire of pain/Perandoria e dhimbjes” i cili flet për perandorinë farmaceutike të bazuar tek përfitimi dhe kur më del një reklamë televizive. Njëfarë Oben, ilac me natyrë herbale, që ofrohej ofertë për 3300 lekë dhe përfitoje edhe një farë Kafur Cream falas. Më bëri pak habi çmimi dhe fakti që ilaçe të tilla gjejnë fonde marketingu për të dalë në një televizion kombëtar.
Hyra dhe i kërkova online sesa kushtojnë realisht. Të dyja dalin prodhim turke dhe secila prej tyre nuk kushton më shume se 3 euro ose diku tek 700-800 leke të dyja. Ndërkohë që ofroheshin ofertë për 3300 lekë. Plot 2500 lekë ose 4-fish më shtrenjtë në Shqipëri. Problemi është më thellë se kaq.
Problemi nr 1. Me aq sa kërkova obline, kompanitë që i shesin nuk kanë një adresë të saktë por vetëm një numër telefoni. Pra janë gati fantazma.
Problemi nr 2. Ekzistojnë “call centers” nëpër Shqipëri që manipulojnë me të tilla produktesh kryesisht duke manipuluar moshën e tretë.
Problemi nr 3. Këto kompani bashkë me “call centers” që kanë krijuar, posedojnë të dhënat e gjithë pensionistave të Shqipërisë, me numër telefoni, adresen e sakte, vlerën e pensionit dhe në disa prej tyre kanë edhe kartelat e plota shëndetësore. Domethënë gjithçka u duhet për të futur në kurth “klientët e tyre potencial”. Sesi kanë rënë këto të dhëna në dorën e tyre duhet një hetim më vete.
Problemi nr 4. Të gjitha shitjet janë me para kesh dhe pa faturë, që do të thotë gjithçka bëhet jashtë sistemit
Problemi nr 5. Reklamat bëhen në televizionet kombëtare dhe e gjithë skema e manipulimit bëhet hapur në syte e shtetit.
Pyetja lind: kush e ka për detyrim t’i mbrojë moshën e tretë që po rrjepin kompani të tilla fantazma duke u vjelë pensionin me të dhëna të vjedhura, me ilaçe e formula fallso e me çmime marramendase?
Të gjithë kemi prindër të cilët janë mashtruar nga kompani të tilla por askush nga ne nuk e ka ngritur zërin.
Unë vendosa të flas sepse askush nuk flet. Dikush duhet t’i mbrojë shqiptarët nga marrëzitë e këtij vendi.
…
Le të ndryshojmë realitetin shqiptar duke ju kundërvënë sjelljeve dhe fenomeneve negative e duke i kthyer ato në pozitive dhe në të mire të përbashkët. Një qytetar i përkushtuar dhe me vlera mund ta ndryshojë Shqipërinë. Nëse edhe ti mendon se ka gjëra që duhen ndryshuar përfshihu duke thënë #perfshihem #përfshihem dhe duke e ndarë problemin me të tjerët.