“Dosjet e nxehta”: SPAK mbërthen Ahmetajn, në skaner edhe Emiljano Dusha e Petrit Kasapi

Dumani skanon “dosjet e nxehta”: SPAK , zhvillime surprizë për Ahmetajn, nisin hetimet për fondet e IPARD, në skaner edhe Emiljano Dusha me Petrit Kasapin

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka zbuluar se ditët në vijim do të ketë zhvillime të rëndësishme për disa nga çështjet më të nxehta që po heton SPAK-u ku mes tyre është çështja “Ahmetaj”, dosja “McGonigal” deri tek “Sterilizimi” dhe abuzimi me fondet IPARD të Ministrisë së Bujqësisë.

Dumani ka zbuluar se ka zhvillime të reja lidhur me Arben Ahmetajn, i cili ndodhet ende në arrati. Gjatë një takimi informal me gazetarët, Altin Dumani tha se ka zhvillime surprizuese, por ende nuk dihet vendndodhja e ish-zv.kryeministri i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për disa akuza.

“Nuk kemi të dhëna konkrete se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Është verifikuar dhe e kemi të qartë se kur ka dalë nga Shqipëria. Ka zhvillime të reja dhe surprizuese”-tha pa dhënë detaje Dumani para gazetarëve.

Zhvillimi i fundit i bërë publik nga çështja Ahmetaj ishte kur Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-numrit 2 te qeverisë, i cili kërkoi heqjen e sekuestros nga një llogari bankare, me vlerë 108 mijë euro që ishte bllokuar në një bankë të nivelit të dytë në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Hetimet për armët

SPAK po intensifikon hetimet për pronat e ushtrisë dhe tenderat e armëve. Mësohet se hetimet janë shtrirë në verifikimin e kontratave të armëve që janë bërë vitet e fundit. Thuajse të gjithë tenderët e armëve janë fituar nga Petrit Kasapi dhe Emiljano Dusha përmes kontratave sekrete ku duket se SPAK nuk do të tolerojë.

Dosja e Sterilizimit
Për dosjen e komentuar të sterilizimit, pas sugjerimeve të Gjykatës së Posaçme, Altin Dumani tha se është një çështje ende nën hetim.

“Nuk përjashtohet mundësia në çdo kohë të ketë persona të tjerë nën hetim. S’kam koment për vendimin e gjyqtarit. Vijon të jetë nën hetim nga dy prokurorët e çështjes (Edvin Kondili e Eneid Nakuçi). Kam ushtruar kompetencat e mua si drejtues i prokurorisë sa më takon ligji. Sa i takon hetimit pasuror, është praktikë në SPAK që kryhet si për veprën penale të korrupsionit edhe për krimin e organizuar, është hetim paralel”- tha Dumani.

Abuzimi me fondet e IPARD
Lidhur me fondet e IPARD, pasi çështja u pushua për moskompetencë, ka një hetim të ri nga Prokuroria e Posaçme, të cilat ndodhen në fazë paraprake.

Çështja McGonigal
Lidhur me kallëzimin për çështjen McGonigal, Dumani tha se çdo informacion dhe e dhënë e publikuar në media, është në vëmendjen e SPAK. Lidhur me kërkesën zyrtare të PD, sipas përcaktimeve ligjore si palë kallëzuese, do të ketë përgjigje brenda kohës së duhur dhe në mënyrën e duhur

Lidhur me fraksionin e dosjes “Gërdeci”, Dumani tha se SPAK konfirmon se po kryehen të gjitha verifikimet e mundshme dhe se janë nisur drejt SHBA-ve letërporosi dhe se po bashkëpunohet me këtë shtet.

Për Amant Josifin, ai theksoi se është arrestuar në kuadër të një procedimi nga Spanja, dhe se SPAK ka bashkëpunuar, por lidhur me faktin nëse ka çështje të hapur në Shqipëri, Dumani shtoi se “nuk na tremb Amant Josifi dhe asnjë i ngjashëm, kush do qoftë, nëse do kemi diçka konkrete, gjithsecili do japë llogari”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *