Konkurrenca, goditet babëzia e oligarkut Shefqet Kastrati në Rinas, çfarë ndodh tani me taksitë
Autoriteti i Konkurrencës njofton se në mbledhjen e sotme, ka marrë në shqyrtim shërbimin taksi për udhëtarë nga dhe drejt aeroportit ndërkombëtar të Tiranës. Siç ishte paralajmëruar, në ofrimin e këtij shërbimi janë gjetur shkelje dhe AK ka dalë me një urdhër.
Komisioni i Konkurrencës vendosi lejimin e aksesit pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe heqjen e tabelës me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, e cila ndalon dhënien e këtij shërbimi
Nga vlerësimi i informacionit gjatë monitorimit të tregut të shërbimit taksi për udhëtarë u konstatua se, në zonën e jashtme të mbërritjeve (ose ndryshe zona Kiss&Fly) nëpërmjet një tabele sinjalistike nuk lejohet aksesi që subjekte të tjera të licensuara të ofrojnë shërbimin, të cilët nuk kanë pasagjerë brenda.
Ky akses lejohet vetëm për taksitë e ndërmarrjes Auto Holiday Albania. Bazuar në nenin 44 të ligjit nr. 9121/2003, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se “jemi përpara një rasti urgjence për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg.”
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 987, datë 24.05.2023 vendosi:
I. Marrjen e masës së përkohshme ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, si vijon:
a. Lejimin e aksesit pa kushte për të gjithë ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin taksi nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
b. Të heqë tabelën me shkrimin “Ndalohet taksi pa pasagjerë”, e cila ndalon dhënien e këtij shërbimi në shkelje të ligjit nr. 9121/2003.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masën e përkohshme të cituar në pikën (I) të këtij vendimi, ndërmarrja Tirana International Airport SHPK ndëshkohet me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës në zbatim të nenit 74, pika 1, germa (b) të ligjit nr. 9121/2003.