Trupi i pajetë i 23-vjeçarit shqiptar Klajdi Bitri është nisur nga spitali i Torrette-s në Itali drejt Shqipërisë, ku do të përcillet në banesën e fundit.
I riu shqiptar humbi jetën tragjikisht gjatë një sherri në trafik, teksa ndërhyri për të ndihmuar shokun e tij italian që po sulmohej nga 27-vjeçari algjerian Fatah Melloul. Ky i fundit e qëlloi Bitrin me shtizën e pushkës së detit duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Arkivoli me trupin e pajetë doli sot nga dyert e spitalit i mbuluar me flamurin shqiptar. Aty ishin mbledhur qindra qytetarë, miq e të njohur që mes lotëve e duartrokitjeve e përcollën në udhëtimin e tij të fundit drejt atdheut.
Klajdi konsiderohej si në i ri model që ishte integruar në mënyrë perfekte në Itali, punonte për të mbështetur vëllain e tij më të vogël dhe dy prindërit që jetojnë në Lushnje.