Rrëmbimi i ‘KOÇOLES’ dhe Sulovarit/ Kush është ‘ALBI’ që ndihmoi Admir Tafilin të arratisej nga burgu (Foto) 

Albi Mecini i cili u arrestua sot për akuzën e rrëmbimit të shtetasve Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovarit rezulton të ketë ndihmuar Admir Tafilin dhe dhe 3 të tjerë të arratisen nga burgu Drenovës në vitin 2013.

29 vjeçari  banues në Kamzë u kap sot  me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi.

Kush janë të zhdukurit?

1. Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.

2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

Njoftimi i policisë

Policia parandalon një ngjarje shumë të rëndë kriminale dhe njëkohësisht zbardh një tjetër ngjarje kriminale.

Me 2 çanta me lëndë plasëse artizanale (rreth 21.3 kilogramë), të montuara për shpërthim në distancë dhe me bidona me lëndë djegëse (benzinë), në 2 automjete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 29-vjeçari, i dënuar më parë për dhënie ndihmë 4 shtetasve, për largim nga IEVP-ja.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e 29-vjeçarit, me të cilët ky shtetas do të kryente ngjarjen kriminale, me lëndë plasëse.

29-vjeçari i arrestuar me çanta me lëndë plasëse, dhe një 25-vjeçar i shpallur në kërkim nga Policia, janë të dyshuar dhe për rrëmbimin e shtetasve Leonard Thodhori. dhe Fatmir Sulovarit, të kryer në Sarandë, më datë 09.04.2023.

Si rezultat i punës intensive dhe të pandërprerë të kryer për parandalimin e ngjarjeve kriminale, strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses megaoperacionin policor të koduar “MISTERI”.

-Në kuadër të këtij megaoperacioni, në aksin rrugor “Mbrostar-Fier”, shërbimet e Forcës se Posaçme Operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Fier, kapën në flagrancë shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në Kamzë, me 2 çanta brenda të cilave ishin 2 pako me rreth 21.3 kilogramë lëndë plasëse artizanale, të montuara me celularë, për shpërthim në distancë. Te dyja çantat u gjetën në afërsi të automjetit të këtij shtetasi.

Gjithashtu, nga kontrolli i zonës ku u kap shtetasi A. M., u gjet një tjetër automjet në brendësi të të cilit ishin 3 bidona me lëndë djegëse benzinë. Nga veprimet hetimore rezulton se 29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasit A. M., 27 vjeç, banues në Dibër dhe E. C., 25 vjeç, banues në Tiranë (të cilët u shpallën në kërkim), i kishin siguruar këto kushte dhe mjete, me qëllim kryerjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale.

Policia sekuestroi 2 automjete, 2 çanta me rreth 21.3 kg lëndë plasëse artizanale, e montuar me celularë, për shpërthim në distancë, 3 bidonë me benzinë dhe 4 celularë.

-Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Policia e Fierit, në bashkëpunim me Policinë e Vlorës, në funksion të një procedimi penal të iniciuar nga DVP Vlorë, për zhdukjen e shtetasve L. Th. dhe F. S., zhdukje e raportuar në Policinë e Sarandës, më datë 09.04.2023, rezultoi se shtetasi i arrestuar në flagrance, me çantat me lëndë plasëse, është autor i dyshuar për këtë rast, së bashku me shtetasin S. L., 25 vjeç, i cili u shpall në kërkim.

Për shtetasit A. M. dhe S. L., ditën e sotme, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” .
Strukturat hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH dhe strukturat hetimore të dvp-ve Fier dhe Vlorë, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të të dyja rasteve, kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këto 2 raste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *