Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dhënë një intervistë ekskluzive mbrëmjen e sotme në Top Story.
Teksa ka folur për politikën e jashtme dhe marrëdhënien me ndërkombëtarët, Osmani ka vënë theksin tek bisedat e hapura dhe të sinqerta me ta por në asnjë moment kërcënuese.
Ndër të tjera, Presidentja tha se është një padrejtësi historike mungesa e liberalizimit të vizave ndaj popullit të Kosovës, pasi sipas saj është i vetmi popull në kontinent, që është 100% në linjë të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme.
“Kam mësuar sepse asnjëri nuk jemi perfekt, kam mësuar më shumë nga partneri ynë strategjik SHBA, që sinqeriteti me partnerët, e të jemi të hapur me ta në mënyrë që të dinë se çfarë të presin me ne, është vlerësuar më së shumti. Ky nuk është kërcënim është informim në raport me partnerët tanë, nëse nuk janë të kënaqur me veprimet e qeverisë së republikës së Kosovës, apo të presidentes, apo institucioneve në përgjithësi, ndëshkimi nuk duhet të jetë në lidhje me popullin e Kosovës. Dhe kjo çështja e liberalizimit të vizave është një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës, ta konsiderosh si një popull që e meriton geton, nënkupton ta vlerësosh si një popull të shkallës së dytë apo të tretë dhe të mos e vlerësosh faktin që është populli më pro-evropian në kontinentin tonë, është 100% në linjë të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme. Unë jam e bindur që Macron i vlerëson të gjitha këto prandaj qëllimi im është që të gjithë aleatët tanë të kuptojnë se çfarë e dëmton procesin e dialogut. Unë mendoj që me presidentin Macron e me gjithë të tjerët të jemi të sinqertë e të flasim hapur por në asnjë moment nuk kam përdorur tone kërcënuese. Pa aleatët asnjë sukses i yni nuk do të ishte i yni”, tha Osmani.
Gjatë intervistës së saj me Grida Dumën, Presidentja Vjosa Osmani ka komentuar edhe krizën në veri të Kosovës dhe mënyrën se si e menaxhoi kryeministri Kurti.
Ajo është shprehur se koordinimi me aleatët nuk të bën më pak sovran, por përkundrazi do të kishte më shumë rezultate pozitive.
Osmani tha se ka pasur raste qe politikanët e Kosovës nuk janë koordinuar me aleatët dhe në këto raste nuk i ka dalë mirë rezultati.
“Mendoj që koordinimi me aleatët nuk të bën më pak sovran. Koordinimi me ta nënkupton më shumë sukses më shumë rezultate dhe kjo është dëshmuar në këto 22 vite. Ndonjëherë ka raste ku jo domosdoshmërisht strategjia apo taktikat janë identike me atë që mund t’i mendojnë aleatët por në asnjë moment nuk kemi pasur dallime në atë që është qëllimi përfundimtar i yni. Përderisa qëllimi përfundimtar është njësoj, strategjia duhet të koordinohet në mënyrë që të arrijmë atë qëllim më shpejt e më mirë. Jo gjithnjë pajtohemi me taktikat bashkë me miqtë tanë, por gradualisht vijmë tek pika e përbashkët. Ka pasur raste gjatë këtyre 20 viteve që politikanët tanë nuk e kanë pasur durimin që të tentojnë ti bindin aleatët tanë që veprimin ta marrin të koordinuar dhe të përbashkët. Nuk na ka dalë mirë sado që Kosova ka pasur të drejtë, sado ka zbatuar kushtetutën e saj”, tha Osmani.