Gazetari Artan Hoxha mendon se vrasja e Martin Bardhit paraditen e së martës, do ta kthejë Rrëshenin në zonën më të “nxehtë” të krimit në Shqipëri.
Hoxha u shpreh se viktima njihej në zonë, e po kështu edhe fisi i tij ka reputacion, dhe kjo mund të vazhdojë zinxhirin e ngjarjeve kriminale nëse rezulton që janë të përfshirë pjesëtarë të fisit Reçi.
Artan Hoxha: Fisi Bardhi është po ashtu me shumë reputacion, viktima ka nja 7 vëllezër të tjerë. Nuk ka qenë i përfshirë në këtë historikun. Këta kanë një vrasje, e ka bërë vëllai i viktimës në 1 Maj 1995, është vrarë Ilir Reçi në atë kohë, nuk është pjesë e asaj historie.
Konflikti ka ndodhur më 26 Mars prej djalit Enrik Bardhi dhe Saimir Reçit, dhe ai lëvizte me mjet të blinduar dhe mjeti i blinduar e ka shpëtuar. Kjo vrasje e kryer sot në mes të Rrëshenit, reputacioni që ka patur viktima dhe potenciali që ka fisi i tij dhe nëse rezulton që mund të jenë të përfshirë pjesëtarë të fisit Reçi, kjo do bëjë që në Rrëshen të kemi zonën më të nxehtë të Shqipërisë. Pra kemi fisin Reçi, kemi fisin Gjini, kemi fisin Jaku dhe tani është futur dhe fisi Bardhi.
Mirela Milori: Sa herë flet Tani…
Artan Hoxha: U bëj thirrje autoriteteve që të kërkojnë zgjidhje në këtë histori. Aty ngjarjet ndodhin ditën që të merret vesh kush e ka bërë dhe pse e bëri. Konfliktet e viteve të fundit në Rrëshen, kemi patur të vrarë në Bruksel, Romë, minë në mes të Tiranës dhe kemi patur atentate spektakolare me snajper. Rrësheni për mua është zona më e nxehtë që ka Shqipëria.
Vrasja e Martin Bardhit, shoqërohen Saimir Reçi dhe babai i tij
Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Rrëshen, ku mbeti i vrarë Martin Bardhi dhe u plagosën 3 të tjerë, policia ka shoqëruar disa persona.
Në komisariat janë shoqëruar anëtarë të fisit Reçi, mes tyre edhe Saimir Reçi i cili pati dhe konfliktin me viktimën, në Mars të këtij viti. Bashkë me të është shoqëruar edhe i ati i tij.
Në total deri më tani janë 10 të shoqëruar që janë marrë në pyetje. Anëtarët e fisit Reçi mësohet se kanë mohuar përfshirjen në atentat.
59-vjeçari Martin Bardhi u ekzekutua me breshëri automatiku teksa ndodhej i ulur në lokalin e tij paraditen e së martës, në shoqërinë e 3 personave që mbetën të plagosur.
Teksa autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende, pista kryesore e policisë është ajo e hakmarrjes.
Martin Bardhi kishte pak kohë që liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi në muajin Mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin e dështuar, pikërisht ndaj Saimir Reçit.