40 vjeçarja Marsela Pushani, e cila ka vrarë motrën e saj me thikë në banesën e tyre në Tiranë në polici ka deklaruar se nuk ka dashur që ta vrasë, por ka shtuar se e motra sipas saj ishte konsumuese e pijeve alkoolike dhe së fundmi kishte sjellje agresive me anëtarët e familjes.
Madje ka shtuar se e motra ka kërcënuar edhe shitësit e marketeve të lagjeve të cilëve u kërkonte pije alkoolike pa lekë përndryshe do t’u thyente marketin.
Report Tv ka shkuar pranë marketeve të lagjes por vetëm njëri prej shitësve ka pranuar të japë detaje jashtë kamerave. Shitësi ka pohuar se viktima kërkonte të merrte pije alkoolike pa lekë, por ka shtuar se nuk e ka kërcënuar asnjëherë.
Madje ai është shprehur se edhe babi i viktimës sipas tij ka ndërruar jetë nga konsumimi i tepërt i pijeve alkoolike.
Pas vrasjes, familjarët tentuan të fshehin ngjarjen dhe raportuan atë si vdekje natyrale, por pas ekzaminimeve të kryera në trupin e saj u konstatuan plagë të shkaktuara nga thika.
Policia ka arrestuar motrën e saj, me profesion mësuese, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se vrasjen e bëri në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi 37-vjeçarja e kishte kërcënuar se do e vriste atë dhe nënën.