Shqiptarët depozituan 1 miliardë euro në banka, në harkun kohor të një viti. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit gusht, depozitat në monedhën europiane arritin shifrën 7.1 miliardë euro nga 6.1 miliardë euro që ishin në gushtin e vitit të kaluar.
Depozitat në euro filluan të rriten me ritme të shpejta veçanërisht pas vitit 2020. Por në dy vitet e fundit, ato janë rritur mesatarisht me 1 miliardë euro në vit, çka përbën një ritëm të pashënuar ndonjëherë më parë.
Të dhënat tregojnë se aktualisht shqiptarët po kursejnë vetëm në euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë ishin thuajse në stanjacion përgjatë këtij viti teksa në gusht shënuan nivelin 713 miliardë lekë nga 711 miliardë lekë që ishin në gushtin e vitit të kaluar.
Pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të de euroizuar ekonominë, preferenca për monedhën europiane mbetet shumë e fortë dhe madje në fuqizim.
Lumenjtë e eurove që po vërshojnë në banka pjesërisht pasqyrojnë përmirësimin e pozicionit të jashtëm të ekonomisë në llogarinë korrente, por edhe atë kapitale. Rritja e flukseve të të ardhurave nga turizmi, por edhe investimet e huaja kanë sjellë zgjerimin e ofertës së euros në tregun vendas. Por një shqetësim në rritje ka qenë ai i flukseve informale të eurove, të cilat burojnë nga aktivitetet e jashtëligjshme si trafiqet apo krimet e tjera.
Edhe pse qeveria dhe Banka e Shqipërisë nuk e pranojnë zyrtarisht fenomenin e valutës që vërshon nga aktivitetet e jashtëligjshme, tronditjet e kursit të këmbimit, shpërthimi i aktivitetit të ndërtimit dhe indikatorë të tjerë të tërthortë sinjalizojnë se ky fenomen është domethënës. Madje, siç duket nga shifrat e depozitave, eurot e drogës po e gjejnë rrugën të futen në sistemin bankar.