Regjimi që na bleu të gjithë

Klodian Tomorri

Nëse hap mediat opozitare, përfshirë ato të cilat qeverisjes së Ramës i thonë regjim, thuajse 90 për qind e tyre shfaqin të gjitha një spot elektoral. Reklama është kjo; “Nga ndryshon një majmun dhe një krokodil nga Ilir Meta me Sali Berishën.” Eshte spoti i regjimit për zgjedhje.

Të akuzosh një qeveri për regjim dhe më pas të marrësh paratë e saj për të promovuar regjimin, kjo s’mund të jetë. Ose të paktën të dyja këto nuk mund të rrinë bashkë. Edi Rama është ose regjim ose alternative politike dhe klient potencial marketingu. E megjithatë kjo e medias është vetëm një grimcë e vogël. Problemi është shumë më i madh se kaq. Ai lidhet me korruptimin e elitës shqiptare në shkallë industriale.

Erion Veliaj paketon çdo ditë nga një personazh publik në spotet e tij elektorale. Këngëtarë të kalibrit botëror, këngëtar dasmash, artistë, influencerë, blogerë e kështu me radhë. Të gjithë këta i rreshton Lali njëri pas tjetrit të na thonë se sa shumë ka ndryshuar Tirana, sa e mirë është bërë ajo duke na ftuar të gjithëve të votojmë sërish Veliajn.

Një pjesë e këtyre personazheve në të shkuarën kanë qenë bashkëpuntorë të afërt të një regjimi tjetër, atij të Sali Berishës. Këta ose këto janë eskortat politike të regjimeve. Por nëse për influencerët e rrjeteve sociale, kurtizaneria është pjesë e zanatit, drama e vërtetë qëndron tek intelektualët.

Si parim, elitat intelektuale janë gjithmonë në opozitë me autoritetin. Sepse ky është intelektuali. Një zë publik, që sfidon gjithomonë autoritetin dhe që nuk vihet asnjëherë në rresht. Sepse nëse rreshtohesh, atëherë nuk je më intelektual.

Por ku janë intelektualët e Shqipërisë sot? Profesorët e katedrave, akademikët, mjekët, inxhinierët? Pse heshtin të gjithë? A mos vallë qeveria në Shqipëri është kaq e pagabueshme dhe dashamirëse sa që nuk abuzon asnjëherë me paranë publike, nuk kapet nga interesat perverse të pakicës? A mos vallë demokracia jonë është kaq perfekte sa që nuk lejon blerje votash, shkeljen e të drejtave të njeriut, kapjen e institucioneve?

Atëherë pse hesh gjithmonë elita jonë intelektuale?

Hesht sepse ose është e rreshtuar, ose ka frikë. Dhe frika jo domosdoshmërisht është vetëm fizike, sepse për fatin të mirë, por ndoshta edhe të keq, regjimi ynë nuk vret. Por është frikë për karrierën, për biznesin, për të mos mbyllur hapësirat e shkollimit të fëmijëve në Perëndim apo privilegjeve të tjera.

Ndaj hesht gjithmona elita jonë. Por korruptimi i saj është tragjedia jonë më e madhe. Një komb nuk mbaron së ekzistuari as atëherë kur e pushtojnë. Por mbaron kur elita e tij ekzekutohet. Dhe regjimi na ekzekutoi të gjithë. Jo fizikisht, por me para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *