Edi Rama ndryshoi qeverinë sot duke hequr nga ekipi disa emra “big”, për të cilët nuk tha se kanë kryer korrupsion, por u shpreh se ndjehet mirë kur SPAK heton socialistët e korruptuar.
Krahas Frida Krifcës, e cila dukej se do të shkarkohej që prej skandalit të fondeve IPARD, vendimi “bombë” i Ramës ishte shkarkimi i Olta Xhaçkës, e cila duket se do të vijë me një faturë të madhe nga pas për të vetë, si edhe personat që e rrethojnë krahas biznesmenëve që dyshohet se janë përfshirë në afera të mëdha me kosto kolosale për vendin.
Xhaçka duket të jetë e shkarkuara e madhe e qeverisë Rama nisur edhe nga fakti se tashmë SPAK ka nisur hetimet për të paktën dy afera të mëdha të dyshuara si korruptive, siç janë bazat e ushtrisë dhe tenderët.
Më herët në media u raportua se SPAK ka nisur hetimin për tenderët e ushtrisë për armët. Ish-ministrja e Jashtme është pyetur disa herë në SPAK për bazën detare në Sarandë që iu dha biznesmenëve Kastrati dhe Dulaku, por nuk dihet nëse prokurorët kanë kërkuar informacion për tenderët e armëve, të cilët janë nën hetim po ashtu.
Bëhet fjalë për shuma të mëdha të shpenzuara nga Ministria e Mbrojtjes me qëllim pajisjen me armë të ushtrisë, të cilat janë fituar nga vetëm dy kompani gjatë viteve të fundit.
Siç kemi raportuar më herët, kompanitë që kanë marrë thuajse të gjitha fondet për armatimin e ushtrisë gjatë tre viteve të fundit janë Marsi and AL e Petrit Kasapit dhe MSSC e Emiljano Dushës. Të dyja kompanitë kanë arkëtuar rreth 8 miliard euro nga buxheti i shtetit për disa tenderë të ndryshme, ndërsa copa e luanit është tenderi sekret për armë i tetorit 2021.
SPAK në raste të tilla heton nëse ka shkelje të barazisë në tenderë apo bashkëpunim mes kompanive me qëllim shmangien e garës dhe fitimit me një çmim më të lartë nga sa do të fitohej normalisht.
Sëfundmi, u njoftua edhe anulimi i një tenderi të madh armësh dhe pajisjesh për policinë, fill pasi në krye të ministrisë erdhi Taulant Balla. Nuk ka të dhëna nëse tenderi u anulua nga frika e SPAK apo nëse shefi i ri do të bëjë “deal” të ri.-dualajme.com