Tri ditë pas atentatit në Rrëshen ku viktimë mbeti Martin Bardhi dhe u plagosën tre të tjerë, vrasja vijon të mbetet ende pa autor.
Zhvillimet kanë sjellë furtunë ndryshimesh në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës, ku kanë filluar lëvizjet e para.
Detyrën e Shefit të Komisarit Miditë e merr Klodian Kondi, ndërsa detyrën e zv. drejtorit të Hetimit e merr Gentian Berberi. Altin Mena, i cili ka shërbyer për disa kohë në DVP Lezhë si Shef Qarkullimi, do të jetë zv. drejtori i Rendit.
Ngjarja e të martës ishte në kufijtë e një masakre, pasi të plagosur mbetën edhe tre qytetarë të tjerë, që po konsumonin kafe në lokalin e viktimës. Të plagosur mbetën kushëriri i viktimës Indrit Bardhi, Olti Gjini dhe Ilir Bardhoku.
Vrasja ndodhi këtë paradite, rreth orës 10:40 pranë lokalit të viktimës, Martin Bardhi, 59 vjeç. Dyshohet se në fillim, 59-vjeçari dhe autorët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe sherri ka degraduar në përdorimin e armëve. Atentatorët më pas janë larguar me një fuoristradë të zezë.
Ndërkaq, motivi i vrasjes ka qenë hakmarrja, pasi në mars të këtij viti Martin Bardhi së bashku me të birin, Erindin, qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2020. Saimir Reçi arriti t’i shpëtonte atentatit, ndërsa Bardhi u vu në pranga.
Vetëm pak ditë më parë, ai kishte dalë nga burgu. Mes fiseve Reçi dhe Bardhaj ka pasur vazhdimisht konflikte dhe dyshohet se edhe vrasja e sotme lidhet me përplasjen mes dy fiseve.