Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Serbia ka dislokuar sisteme kundërajrore në afërsi të kufirit me Kosovën, duke paralajmëruar se në Rashkë po bëhet riorganizim paramilitar i Milan Radojçiçit.
Sipas tij, Serbia po vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë.
“Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën”, vijon postimi i Kurtit në Facebook.
Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:
Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.
Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.
Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.
Aty është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Ata që janë në listë të rrogave janë kushtëzuar me to, ndërkaq për të tjerë janë ofruar vende pune në periudhë 3 dhe 6 mujore.
Millan Radoiçiq, pas sulmit terrorist të kryer në veri, u lirua brenda ditës që të vazhdonte veprimtarinë e tij paramilitare e terroriste në shërbim të politikës shtetërore të Serbisë kundër Kosovës.
U bënë pesë muaj pas rrëmbimit në Leposaviq të policëve tanë kufitar Rifat Zeka, Beqir Sefa e Shemë Mustafa dhe tetë javë nga vrasja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, duhet të dalin me raport publik e zyrtar ku ia atribuojnë Serbisë aktin e agresionit dhe krimin e terrorizmit, dhe ku dënohet riorganizimi i grupit të Radoiçiqit.
Edhe pas presionit ndërkombëtar, Serbia ende nuk ka tërhequr të gjitha trupat dhe artilerinë nga afërsia e territorit të Kosovës.
Ajo vazhdon të kërcënojë sigurinë e Republikës së Kosovës me bazat e përparme operuese të Forcave të Armatosura të Serbisë përgjatë kufirit me vendin tonë. Për më tepër, Serbia ka dislokuar sistemet kundër-ajrore në afërsi të kufirit me Kosovën.
Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit.
Mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor. Drejtuesit e grupit terrorist, në vend që të jenë duke u përballur me drejtësinë në Kosovë, vazhdojnë përgatitjet për sulme të tjera ndaj Kosovës dhe grumbullim të votave me shantazhe ndaj serbëve të Kosovës.