Klodian Tomorri
Në pikën më juglindore të Trekëndëshit Polinezian ekziston një ishull i vogël, që quhet Ishulli i Pashkës. Bota e njeh për 900 e ca statujat e fashme të gurit në formë njeriu, të shpallura nga UNESCO si trashëgimi botërore. Por pasuria më e madhe që ishulli i ka dhënë njerëzimit nuk janë statujat monolike, por një mësim i madh nga historia e tij.
Polinezianët e parë mendohet se mbërritën në ishull rreth shekullit të 12-të. Pasi u vendosën aty, ata krijuan një shoqëri që lulëzoi me shpejtësi siç dëshmohet nga statujat e famshme, krijimi i të cilave quhet një arritje e jashtëzakonshme për kohën. Por në një pikë të caktuar ishulli filloi të binte me shpejtësi. Kur europianët e parë mbërritën në Ishullin e Pashkës në shekullin e 18-të, popullsia e tij kishte rënë në vetëm 2 mijë banorë, nga 15 mijë që kishin qenë një shekull më parë.
Jared Diamond, një historian i njohur amerikan sugjeron se shkaku kryesor i rënies së ishullit ishte pikërisht simboli i shkëlqimit të tij. Sipas Diamond, ndërtimi i statujave çoi në mbishfrytëzimin e burimeve të ishullit duke e zhytur atë në shpyllëzim masiv dhe degradim mjedisor. Kjo i detyroi banorët të shndërroheshin në kanibalë dhe të zhyteshin në luftë civile.
Ekocidi në Ishullin e Pashkës është një nga rastet e para të dokumentuara të asaj që në teorinë ekonomike njihet si Tragjedia e së Përbashktës, ndonëse vetë koncepti do të zbulohej më vonë nga ekonomistët. Me fjalë të thjeshta, Tragjedia e së Përbashktës është një formë e dështimit të tregut, e cila ndodh kur maksimizimi i interesit personal çon në mbi shfrytëzimin e pasurive të kufizuara publike. Rasti klasik është ai i një fshati të vogël që burim të vetëm jetese ka peshkimin nga një liqen i vogël? Çfarë ndodh nëse të gjithë banorët e fshatit në përpjekje për fituar më shumë para, peshkojnë papushim? Peshku zhduket ndërsa fshati kolapson.
Ajo që ndodh me qendrën e Tiranës është një formë e Tragjedisë së të Përbashktës. Në këtë rast pasuria publike e limituar është qëndra e qytetit. Ndërsa ata që mbishfrytëzojnë janë ndërtuesit e kullave. Teksa ndërtuesit maksimizojnë sa më shumë interesin e tyre personal ata hedhin kosto mbi gjithë të tjerët, pasi konsumojnë me shpejtësi pasurinë e përbashkët, tokën e kufizuar në qendër të Tiranës. Teknikisht fenomeni njihet me emrin eksternalitet negativ.
Për të ndaluar një cikël të Tragjedisë së Përbashkët ka vetëm dy mënyra. E para është kufizimi me ligj i shfrytëzimit të pasurisë publike që kërcënohet. E dyta është internalizimi i eksternaliteteve. Kjo e dyta bëhet përmes taksimit, i cili synon të frenojë kërkesën.
Sot një kullë në Tiranë taksohet me 11 për qind për ndikimin në infrastrukturë dhe strehimin social. Por në kushtet kur ekuilibri i kërkesë-ofertës për ndërtime është i denatyruar për shkak të burimeve informale të ardhurave, që vijnë nga trafiqet apo korrupsioni, taksa nuk mjafton. Fakti që uria për kulla në qendër të Tiranës nuk ndalet është dëshmia më e qartë.
Nësë procesi nuk ndërpritet, hapësirat publike në qendër do të zhduken, sipërfaqet e gjelbërta nuk do të jenë më, memoria historike e qytetit do të jetë rrafshuar, ndërsa dëndësia e lartë e popullisë do të përkeqësojë cilësinë e jetës dhe shërbimeve. Dhe ndërsa cikli i Tragjedisë së të Përbashktës vazhdon, risku është që Tirana të bëhet si Rano Raraku, vendi i famshëm ku ekspozoheshin statujat e Rapa Nui-ve. Ndryshimi i vetëm është se qendra e Tiranës nuk do të ekspozojë statujat si simbol i shkelqimit dhe rënies së saj, por kullat shumëkatëshe.