Goditen disa grupe kriminale në Itali, furnizoheshin me kokainë nga Eldi Dizdari 

Tjetër goditje ndaj Ndrangheta-s. Në 24 orët e fundit janë shënuar dhjetra arrestime dhe konfiskime në Gjermani dhe në Belgjikë, me vlerë mbi 25 milionë euro.

“La Stampa” ka zbuluar detaje nga megaoperacioni “Eureka”, duke bërë me dije se mes tyre ishte dhe një shqiptar, i shumëkërkuari Eldi Dizdari (Denis Matoshi).

Hetimi ka nisur me bandat Pelle, Strangio, Nirta, Giampaolo, Mammoliti dhe Giorgi, që në vitin 2019 pasi ishinvendosur në lupë anëtarët e bandës “Nirta di San Luca”. Por dosja u fry aq shumë saqë u përfshi edhe Ndragheta. 

Për të trafikuar armët dhe kokainën ishin krijuar disa organizata. Shoqata e parë e rikonstruktuar ka të bëjë me familjen Nirta, “Versu” të San Luca, e cila kishte bazë në Brazil, e përfaqësuar nga i arratisuri Vincenzo Pasquino, i kapur në vitin 2021 së bashku me bosin e drogës, Rocco Morabito.

E dyta i përket familjes Mammoliti “Fischiante” të Bovalino me ‘nyje’ në Pulia, Abruzzo, Lazio, Toskana dhe Lombardi dhe që ka kontakte të drejtpërdrejta me furnizuesit amerikano-jugor të kokainës dhe me trafikantë ndërkombëtarë si Denis Matoshi (Eldi Dizdari), aktualisht i arratisur në Dubai. Shoqata e tretë, i përket familjes Strangio “Fracascia” të lidhur me bandat Nirta-Strangio të përfshira në masakrën e Duisburgut të vitit 2007. Kjo organizatë e tretë, sipas hetuesve, kishte degë të qëndrueshme në Genk (Belgjikë), Mynih (Gjermani), Spanjë dhe Canberra (Australi).

Gjyqtari hetues i Reggio Calabria, me kërkesë të DDA, ka urdhëruar sekuestrimin e aseteve me vlerë rreth 25 milionë euro. Aksioni u zhvillua në Itali, Portugali, Gjermani dhe Francë, etj.

Kush është Eldi Dizdari?

Eldi Dizdari, i njohur gjithashtu si Denis Matoshi, vuante një dënim në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Fillimisht ai u ndalua pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane në kuadër të goditjes së grupit “Los Blancos”, të cilët trafikonin kokainë nga Ekuadori në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Por më pas u lirua.

Matoshi/Dizdari, sipas autoriteve italiane, është udhëheqës i grupit kriminal shqiptar (KOMPANIA BELLO) – një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar e përfshirë në trafik droge dhe operacione kontrabande midis Amerikës së Jugut dhe Evropës me një vlerë prej 350 milion euro.

Ai u arrestua në Dubai, por pas lirimit të tij, është ende e paqartë nëse autoritet italiane do vijojnë të kërkojnë esktradimin e Dizdarit në Firence, aty ku një pjesë e grupit të kokainës pak kohë më parë morën dënime nga drejtësia italiane, por deri më tani Italia nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe./La Stampa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *