Pezullohet tenderi 400 milionë lekë për Flotën Detare, çfarë po luhet në prapaskenë

Është pezulluar tenderi me vlerë rreth 400 milionë lekë të vjetra pa TVSH, i ndarë në dy lote për blerjen e pajisjeve për Flotën Detare si edhe Zhytjen.

Burime për DuaLajme bëjnë me dije se tenderi është pezulluar pas një ankese të bërë nga kompania “Qirici’s Marine” e cila ka kërkuar ndër të tjera vendosjen e një kushti që pjesëmarrësit duhet të jenë të certifikuar nga autoritetet shqiptare si “subjekt me pjesëmarrje në sektorin detar”. 

Pezullimi pritet të zgjasë deri në marrjen e një vendimi nga Komisioni i Prokurimit Publik dhe më pas pritet që tenderi të rishpallet me rregullime ose jo sipas vendimit të marrë.

Tenderi

Tenderi me dy lote, dokumentet e të cilit i zotëron DuaLajme.com, ka një fond limit prej 39,983,793.00  (rreth 400 milionë lekë të vjetra pa TVSH). Bashkë me TVSH, fondi limit shkon 480 milionë lekë të vjetra. 

Ministria pret ofertat e kompanive deri më datë 11 shtator, ora 10:00, pastaj Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO) do të vlerësojë ofertat dhe do të shpallë fituesin siç ndodh normalisht gjatë tenderave.

Edhe pse nuk ka dhënë emër paraprakisht, duket se kontraktori, ka paracaktuar në një farë mënyrë edhe fituesin duke vendosur kushte të tilla, përmes të cilave futen dy -tre kompani të cilat kanë patur kontrata të mëparshme me këtë sektor. 

Çfarë thotë kushti:

Operatorët ekonomikë duhet të vërtetojnë se kanë përvojë të mëparshme, për furnizime të ngjashme me objektin e kontratës. Për të provuar këtë, duhet të paraqesin dëshmi per realizimin e furnizimeve të ngjashme gjatë tre viteve të fundit nga data e shpalljes së njoftimit të kontratës, në një vlerë jo më të ulët se 40 % e fondit limit të lotit objekt prokurimi, si vijon:

Kur furnizimet janë realizuar me ente publike, operatorët ekonomikë duhet të paraqesin:

-vërtetime të lëshuara nga një ent publik (shoqëruar edhe me kontratën përkatëse, për efekt të evidentimit të artikujve të furnizuar dhe sasive të tyre) për përmbushjen me sukses të kontratës, ku të shënohen vlera, afati i përfundimit të kontratës ose

-fatura tatimore të shitjes, të plotësuara sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, dhe të deklaruara në organet tatimore ku shënohen datat, shumat dhe sasitë e mallrave të furnizuara. 

Në fakt, vendosja e një kriteri të tillë do të përjashtonte nga pjesëmarrja në tender të kompanive Marsi and Al të Petrit Kasapit dhe MSSC të Emiljano Dushës, krahas KOAN të Ardian Davidhit, të cilët kanë marrë deri më tani pjesën më të madhe tenderëve për pajisjen e ushtrisë me armë si edhe pajisje të tjera të ngjashme.

Kompanitë kanë kohë deri më datë 11 shtator që të dorëzojnë ofertat dhe më pas do të shpallet fituese, por mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë KPP për kërkesën e kompanisë së mësipërme dhe nëse kjo do të ndikojë në zgjatjen e kohës së marrjes së ofertave. 

DuaLajme do të ndjekë më tej zhvillimet për këtë tender. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *