Skema e inceneratorëve dhe në ushtri? Kompanitë vijojnë marrjen e pagesave, edhe pse SPAK ka thelluar hetimet për tenderët e armëve
Heqja e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka prej kryeministrit Rama dhe lënia e saj jashtë kabinetit pa një post të ri duket se ka ardhur pikërisht prej hetimeve të SPAK mbi pronat e ushtrisë dhe tenderët e armëve ku po avancohet me shpejtësi dhe sipas raportimeve mediatike, pritet të ketë arrestime të bujshme gjatë ditëve apo javëve në vijim.
Krahas Xhaçkës, në “tavë” janë edhe gjeneralë të lartë të ushtrisë që kanë firmosur tenderët sekret të ushtrisë, të cilat janë fituar kryesisht nga dy kompani: Marsi & Al e Petrit Kasapit, i cili njihet edhe si “kasapi” i tenderëve të ushtrisë dhe policisë, si edhe prej biznesmenit Emiljano Dusha që ka kompaninë MSSC.
Në media është raportuar se prokurorët kanë zbërthyer pikërisht skemën e tenderëve të armëve dhe se si ato janë mbledhur në vetëm dy tre duar duke marrë shuma të mëdha nga arka e shtetit përmes formave të dyshimta.
Por, ndërkohë që SPAK po avancon me hetimet mbi këto tenderë siç raportojnë mediat, DuaLajme konstaton se me pagesat për armët po ndodh e njëjta skemë si edhe me inceneratorët, ku shteti vijon pagesat pavarësisht hetimeve.
Buxheti i shtetit vazhdon pagesat ndaj inceneratorit të Tiranës edhe pse SPAK ka kryer disa arrestime, ka shpallur në hetim disa persona dhe po bën gati dosjen për në gjyq.
E njëjta gjë po ndodh me tenderët e armëve, ku reparti ushtarak nr. 1001 në Zall Herr Tiranë, vijon pagesat ndaj kompanisë MSSC dhe Marsi& Al edhe pse prokurorët tashmë po hetojnë për këto tenderë dhe çështja sipas mediave pritet të kurorëzohet me arrestime të bujshme.
Policia gjeti qindra rrënjë kanabisi në Zall Herr në Tiranë duke bërë që të shkrihej struktura drejtuese.
Burime bëjnë me dije se Thesari i Shtetit i ka transferuar në emër të Repartit Ushtarak nr.1001 (Zall Herr) në Tiranë, plotë 92 068937 lekë më datë 14 gusht përmes një pagese të vetme kompanisë “Marsi&Al” të Petrit Kasapit. Kjo është një ndër shumë këstet që ky repart i bën Kasapit pas një tenderi sekret armësh të fituar më herët nga kjo kompani.
Nga ana tjetër, burimet shtojnë se pagesat kanë vijuar edhe për kompaninë e MSSC, e cila më datë 30 gusht ka marrë dy pagesa, e para me vlerë 54 747 264 lekë dhe e dyta 70 645 764 lekë po nga reparti ushtarak nr.1001 në Tiranë.
Në total, të dyja kompanitë kanë marrë rreth 217 milionë lekë nga arka e shtetit fill pasi SPAK nisi hetimet për tenderat sekrëtë për armatimin e ushtrisë.
Dhe pagesat pritet të vijojnë…po ashtu edhe raportimet tona mbi këto afera…! – DuaLajme