Vrasja e Fridman Xhaferajt në 2 qershor 2021 në Korçë është një nga krimet më shtazarake të kryera nga Laert Haxhiu dhe banda e tij me bazë veprimi në Lushnjë, Pogradec dhe Korçë. Fridmani, sapo kishte dalë nga burgu i Peqinit, ku akuzohej për djegien e një makine në Lushnjë, porosi që ishte dhënë nga kushëriri i tij, Laert Haxhiu. Xhaferaj dhe Haxhiu, nuk ishin thjesht dy të njohur në Lushnjë, por ata janë kushërinj mes njëri-tjetrin.
Pas vrasjes me një plumb pistolete, Fridmani, është hedhur në ujërat e një rezervuari në Korçë, duke dalë trupi i tij i pajetë në sipërfaqen e ujit, pas 12 ditë. Vrasja e tij në Korçë, është kryer vetëm, sepse Xhaferaj në një moment e kishte kërcënuar kushëririn e tij Laertin, se nëse ky i fundit nuk e ndihmonte për ta nxjerrë nga burgu i Peqinit, Fridmani do fillonte të fliste në polici dhe prokurori, për vendodhjen e të kërkuarit Laert Haxhiu dhe krimet e tij.
“Kërcënimi apo shantazhimi se Fridmani do fliste në burg, nëse Laerti nuk e ndihmonte, nuk është pritur mirë nga Haxhiu. Këtë mesazh, Fridmani ja kishte çuar kushëririt të tij, përmes avokatit që shkonte çdo muaj e takonte në burg. Avokati ia ka përcjellë Laert Haxhiut dhe që në këtë moment, ai ka filluar të dyshojë mbi besnikërinë dhe qëndrueshmërinë e Fridmanit. Në këtë moment Laerti, ka filluar të bëjë plane dhe të flasë për ndëshkimin e tradhtarëve, ndërsa shprehej se kushëriri i tij,i kishte ulur reputacionin…Fridmani kishte rënë në burg për djegien e një makine”-tregon bashkëpunëtori i prokurorisë.
Sipas të penduarit, vrasja është kryer në një vend tjetër, ndërsa trupi i pajetë është hedhur në rezervuarin e Gjançit në Korçë. “Fridman Xhaferaj, para se të vritej është rrahur… Laerti së bashku me ne, i kërkonim llogari nëse kishte folur dhe pse kishte shantazhuar dhe kërcënuar nga brenda burgut. E kemi goditur disa herë. Kur e vramë ai kishte rënë në gjunjë, ndërsa dy persona e tërhiqnin nga të dy krahët. Fridmani, pa pistoletat dhe filloi të ushtronte forcë për t’u larguar, por s’mund të lëvizte se dy veta e mbanin me forcë nga krahët.
Ai i ka kërkuar falje Laertit, është përgjëruar dhe lutur të mos e vrisnin, në këtë moment është qëlluar me plumb pas koke. Për shkak se Fridmani ka lëvizur kokën shumë shpejt, plumbi i ka shkaktuar një të çarë, por i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Me makinë e kemi transportuar në Gjanç, ku trupin e pajetë e hodhën në rezervuar…”, ka treguar Artan Tafani. 12 ditë pas vrasjes së Fridman Xhaferaj, uji i rezervuarit nxori në sipërfaqe trupin e pajetë të 25-vjeçarit. Kalimtarët e rastit njoftuan policinë, e cila nisi hetimet./ Elton Qyno