AKU ka ushtruar një kontroll blic te Caji Vital duke zbuluar se kompania ndryshe pretendon në etiketa dhe ndryshe reklamohet në televizor dhe rrjete sociale
Në kuadër të gazetarisë cilësore dhe mbrojtjes së shëndetit dhe xhepit të qytetarëve, Gazeta Jonë është angazhuar që të denoncojë çdo rast të mashtrimit me barna, ilaçe apo lëngje të çuditshme që reklamohen nga delenxhinj profesionistë që shpenzojnë sasi të mëdha parash për të futur në çark njerëzit me shumë halle të këtij vendi.
Situata është bërë shumë problematike nisur edhe nga fakti se këta mashtrues kanë buxhete të mëdha reklamimi dhe u shfaqen qytetarëve në ekrane në çdo orar të ditës, ndërsa mungon tmerrësisht kontrolli shtetëror, megjithatë duket se gjërat kanë nisur të ndryshojnë.
AKU njofton se ka kryer një kontroll të befasishëm në ambientet e kompanisë BioVital që prodhon një përbërës që herë e quajnë “lëngu vital” e herë “çaji vital”.
Gjithçka ka ndodhur pas denoncimeve në Gazeta Jonë, por edhe në media të tjera të këtij aktiviteti të dyshimtë nga dy personazhe që dalin ekraneve të quajtur Nazif Saraçi dhe Halil Hafizi.
Personazhet në fjalë pretendojnë çuditërisht se shërojnë sëmundje të rënda si kanceri apo hepatiti B në daljet e tyre në ekrane, por edhe në faqen zyrtare ku flasin për dy raste: Rasti i parë sipas tyre është një zonjë që na qënkërkësh në buzë të varrit me kancer dhe mjekët e kanë çuar në shtëpi si rast i pashpresë, por SIPAS TYRE, pasi paska pirë këtë lëngun e çuditshëm qënka shëruar dhe ka çuditur madje edhe mjekët në Greqi!!
Nuk është fantazi, është e shkruar kështu e zeza në të bardhë në faqen e kompanisë BIOVITAL që t’u mbushë mendjen njerëzve në hall të blejnë sa më shumë nga ky lëngu i tyre.
Rast tjetër është një zonjë që thotë se pasi piu këtë lëngun qënkërka shëruar nga Hepatiti B!!
Në fakt, Hepatiti B nuk shërohet. Këtë e thonë laboratorët më të famshëm në botë, madje këtë ia thonë në faqen e tyre të Facebook edhe farmacistë të njohur në Shqipëri, por jo vetëm që këta tipa nuk bëjnë hap pas, por shpenzojnë para në Facebook duke reklamuar marrëzinë e tyre për të gllabëruar sa më shumë para nga njerëzit në nevojë.
Problemi qendron në faktin se këta janë në rregull me letrat.
Nëpër shishe nuk shënojnë gjë që pretendojnë se shërojnë sëmundje, por këtë e bëjnë kur dalin në televizor dhe ia vënë në gojë personazheve që i nxjerrin gjoja si dëshmitarë!
Një skemë e famshme kjo e njohur në botë për situate të tilla të dyshimta! Dhe ky është detaji tronditës i zbuluar pasi ndryshe thonë në letra dhe ndryshe pretendojnë në faqen e tyre të webit dhe në ekrane kur dalin.
Pikërisht këtë konfirmoi dhe AKU gjatë kontrollit “blic” në ambientet ku prodhohet ky lëngu çuditshëm. AKU thotë se nuk ka shënime të etiketat e lëngut që të thotë se shëron X apo Y sëmundje.
Çështja është se këta dhe të tjerë të ngjashëm si këta e kanë regjistruar lëngun e tyre si suplement ushqimor, por e marketojnë si ilaç që shëron kancerin dhe Hepatitin B.
Rrjedhimisht, sipas ligjit AKU nuk ka çfarë t’u bëjë pasi AKU ka detyrim të shohë nëse kushtet higjenosanitare janë në rregull dhe nuk merret me efektet e produktit.
Ata që duhet të merren me pretendimet e tyre të çmendura janë organet ligjzbatuese për të shëptuar qytetarët nga zhvatja në kushtet kur janë në hall.
Gazeta Jonë ka raportuar edhe raste të tjera të ngjashme çajrash dhe lëngjesh që mashtrojnë hapur qytetarët e sëmurë. Për më tepër, lexoni shkrimet e mëposhtme gjatë muajve të fundit.
Gazeta Jonë konfirmon se nuk do të ndalet në denoncoimin e çdolloj mashtruesi që përfiton nga halli i qytetarëve duke u shitur SHPRESË TË RREME në këmbim të shumave të mëdha të parave!!!
Mirëpresim çdo denoncim nga qytetarët në lidhje me rastet kur janë ndjerë të mashtruar me ushqimet, barnat dhe produkte të ngjashme! /Gazeta Jonë
AKU Caji Vital